Të dashur miq,
Në vazhdim të nismës "NDIQNI BIBLËN" dhe përkushtimit të shumë prej jush sabatin e 29 gushtit për të lexuar Shkrimin e Shenjtë në bazë të planit vjetor, besoj se keni vënë re se ky i fundit përkon me leximin e librit të Profetit Ezekiel. Për t'ju ndihmuar sadopak ndërsa lexoni nga ky libër shumë interesant, po ju prezantoj një hyrje për këtë libër të Dhjatës së Vjetër, që të jeni brenda kontekstit të tij. Zoti ju bekoftë. Për çdo pyetje, jeni shumë të mirëpritur të më shkruani si mua, ashtu edhe pastorëve të tjerë.
Javë të lumtur,
Juli
Hyrje / Prezantim për Librin e Ezekielit
Katastrofa godet dhe bota përreth shkërmoqet. Njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme, por dy nga përgjigjet më të zakonshmet janë mohimi (ose mospranimi) dhe dëshpërimi. Përgjigja e parë (mohimi) nuk do kurrsesi ta pranojë realitetin e katastrofës. Ai mbyll sytë fort ose kthen kokën nga ana tjetër; vazhdon të sillet sikur gjithçka do të jetë në rregull; për me tepër gjen strehë tek gënjeshtrat, përçatjet dhe fantazitë. Nga ana tjetër, dëshpërimi është paralizuar plotësisht nga katastrofa dhe e sheh këtë të fundit si fundin e botës. Nuk ka as vullnetin më të vogël për të bërë diçka, duke rënë në përfundimin se jeta ka marrë fund dhe nuk ka më kuptim e arsye të jetohet më. Dëshpërimi, i pushtuar krejt nga fatalizmi, i mbyll sytë fort ndaj një bote pa ngjyra dhe pa jetë.
Në rradhët e shkrimtarëve biblikë, Ezekieli është ekspert në rastin e katastrofës. Kur katastrofa goditi – ishte shekulli i 6-të p.K, kur ndodhi pushtimi i Izraelit nga Babilonia – reagimi i parë ishte mohimi/mospranimi i realitetit. Profeti Ezekiel e pa veten duke jetuar mes popullit të Zotit, popull ky (tmerrësisht i ngjashëm me ne sot) që me kokëfortësi refuzonte të pranonte se çfarë po ndodhte (turma e mohimit). Gjithashtu, kishte edhe nga ata që nuk kishin vullnet të shikonin asgjë tjetër përveç asaj që po ndodhte (turma e dëshpërimit).
Por Ezekieli pa! Ai pa atë që njerëzit përreth tij nuk mundnin të shihnin dhe nuk donin të shihnin! Në imazhe të jashtëzakonshme e të paharrueshme, të përshkruara në detaje tepër të imta, Ezekieli pa Zotin duke punuar gjatë epokës së katastrofës. Njerëzit e mohimit refuzuan të pranonin se katastrofa përpara tyre ishte në fakt katastrofike! Si ka mundësi? Zoti nuk do lejonte që gjërat të shkonin aq keq, apo jo? Por Ezekieli u tregoi! U tregoi se, po, katastrofa ishte realitet, por Zoti po punonte gjatë saj, duke e përdorur atë me sovranitet. U tregoi në mënyrë që njerëzit e mohimit të ishin në gjendje të përqafonin Zotin në kohërat më të këqija të mundshme.
Në kontrast, njerëzit e dëshpërimit, të shushatur e katandisur keq nga shkretimi, refuzuan të pranonin se jeta ia vlente te jetohej! Si ka mundësi? Ata kishin humbur gjithçka, apo jo? Ose n.q.s. nuk i kishin humbur ende, ishte thjesht çështje kohe, të gjitha, atdheun, Tempullin, lirinë, dhe shumë, shumë jetë. Por Ezekieli u tregoi! U tregoi se Zoti po po punonte dhe ndodhej mes rrënojave dhe mbeturinave, duke e përdorur katastrofën me sovranitet, për të krijuar një popull të ri të Zotit..
Ose për shkak të mohimit, ose për shkak të dëshpërimit, populli i Zotit për pak sa e humbi identitetin si popull i Zotit. Por nuk e humbi! Populli i Zotit doli nga ai shekull katastrofash më i fortë dhe më i sprovuar. Dhe një nga arsyet kryesore ishte Ezekieli.
Nuk ka komente:
Posto një koment