23 nëntor 2010

"Sabati"

Sabati (the Sabbath) - (Ellen. G. White - Desire of Ages)

Sabati u shenjtërua në krijim. Ai e ka origjinën e tij "kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi." - Jobi 38:7. Paqja mbizotëronte mbi botë, sepse toka ishte në harmoni me qiellin. "Perëndia pa të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Dhe Ai pushoi me gëzimin e punës që kishte përfunduar." - Zanafilla 1:31.

Meqë Ai pushoi gjatë Sabatit "Perëndia e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi"- duke e veçuar këtë ditë për një përdorim të shenjtë. Ai ia dha atë Adamit si një ditë pushimi. Ishte një kujtim i veprës së krijimit dhe, në këtë mënyrë një shenjë e fuqisë së Perëndisë dhe dashurisë së Tij. Shkrimet e Shenjta thonë: "Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen," "Veprat e Tij," deklarojnë "cilësitë e Tij të padukshme që nga krijimi i botës" "madje dhe fuqinë e Tij të përjetshme dhe hyjninë e tij." - Zanafilla 2:3; Psalmi 111:4; Romakëve 1:20.

Të gjitha gjërat u krijuan nga Biri i Perëndisë. "Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, . . . Të gjitha gjërat u bënë me anë të Tij; dhe pa të nuk u bë asgjë nga ato që u bënë." - Gjoni 1:1, 3. E meqenëse Sabati është një përkujtim i punës së bërë gjatë krijimit është një shenjë e dashurisë dhe fuqisë së Krishtit.

Sabati i drejton mendimet tona nga natyra dhe na lidh me Krijuesin. Në këngën e zogjve, në pëshpërimën e pemëve dhe në muzikën e detit, ne ende mund të dëgjojmë zërin e Tij, atë zë që i foli Adamit në Eden në ngrohtësinë e ditës. Dhe teksa ne shohim fuqinë e Tij në natyrë, gjejmë ngushëllim dhe ngrohtësi, sepse fjala që krijoi të gjitha gjërat, është ajo fjalë që i jep jetë shpirtit. Ai "që urdhëroi dritën të ndriçojë në errësirë është i njëjti, që shkëlqeu në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezus Krishtit." - 2 Korintasve 4:6.

Ishte ky mendim që frymëzoi këngën:

"Duke qenë se ti më ke gëzuar,
me atë që ke bërë,
Unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.
O Zot, sa të mëdha janë veprat e tua!
Sa të thella janë mendimet e tua!" - Psalmi 92:4, 5.

Dhe Shpirti i Shenjtë me anë të profetit Isaia thotë: "Kujt dëshironi t'i ngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t'i vinit përballë? . . . Por nuk e dini, nuk e keni dëgjuar? A nuk ju është njoftuar që në fillim? Nuk e keni kuptuar nga themelet e tokës? Ai është ai, që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca, ai i shpalos qiejtë si një vello dhe i hap si një çadër ku mund të banosh. . . . Me kë kërkoni pra të më ngjasoni që të jem baraz me të? Thotë i Shenjti. Ngrini sytë tuaj përpjetë dhe shikoni: Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër; për madhështinë e fuqisë së tij dhe forcën e tij, asnjë nuk mungon. Pse thua o Jakob, dhe ti Izrael, shpall: Rruga ime i është fshehur Zotit dhe për të drejtën time nuk kujdeset Perëndia im? Nuk e di ti vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet? . . . Ai i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit." "Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime." "Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër." Ky është mesazhi, që është shkruar në natyrë dhe pikërisht për të kujtuar këtë mesazh është caktuar Sabati. Kur Perëndia e urdhëroi Izraelin t'i shenjtëronte Sabatet e Tij, Ai tha: "Ato do të jenë një shenjë mes meje dhe jush, në mënyrë që ju të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj." - Isaia 40:18-29; 41:10; 45:22; Ezekieli 20:20.