07 mars 2009

Viktor Gjika – Ky Fëmijë i Perëndisë

(përshtatur nga fjalimi në ceremoninë e varrimit 4 mars 2009)

Viktor Gjika, përveçse ishte nje personalitet i shquar i artit shqiptar, një regjizor që dha një kontribut të jashtëzakonshëm, ishte edhe njëkohësisht fëmijë i Perëndisë, një besimtar i përulur dhe i thjeshtë i krishterë Adventist. Kisha Adventiste ishte shtëpia e tij shpirtërore, ndërsa besimin Adventist ai e trashëgoi nga e ëma, e paharruashmja nënë Meropi Gjika, e cila e mbajti besimin të gjallë për dekada të tëra dhe me dashuri i rriti Viktorin dhe fëmijët e tjerë që ta duan Zotin dhe të mbajnë urdhërimet e Tij.

Ndërkohë që dita e sotme dhe ditët e ardhshme janë ditë trishtimi, ditë lotësh, ne gjejmë ngushëllim që Viktor Gjika fle në Krishtin, aq më tepër kur ne, si të krishterë kemi shpresën e ringjalljes, premtuar nga vetë Zoti ynë Jezus Krisht:

Gjoni 11:25 - Jezusi i tha: "Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë."

Zbulesa 1:17b-18 - "Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit, dhe i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen; dhe unë i kam çelësat e vdekjes e të Hadesit."

Zbulesa 21:3-4 – "Ja tempulli i Perëndisë është me njerëzit! Dhe Ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i Tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan."

1 Selanikasve 4:13-18 "Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë. Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur. Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur,sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që kanë vekur në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë," thotë Apostulli Pal. Dhe ne ngushëllohemi sot dhe marrim zemër se do ta takojmë Viktorin sërish, ditën e ardhjes (Adventit) së Mbretit të Mbretërve, Jezu Krishtit.

LUTJE - I dashur Zot, Krijuesi dhe Shpëtimtari ynë, Ndërkohë që në dashurinë, dhembshurinë dhe urtësinë Tënde, ti ke lejuar vëllain tonë të dashur, Viktorin, që të bjerë në gjumë në Krishtin, ne me hijeshi e dorëzojmë trupin e tij në dhe nën kujdesin e engjëjve të Tu të shenjtë, me shpresën e sigurt tek zgjimi i ringjalljes së mrekullueshme, kur Zoti ynë Jezus Krisht do të rikthehet në lavdi. Atëherë ky trup do të transformohet dhe do të bëhet si trupi i lavdishëm i i Zotit tonë dhe, së bashku me gjithë besimtarët, të gjallë e të zgjuar, do të jetojmë në përjetësinë e mundësuar nga sakrifica e Jezu Krishtit, në emër të të cilit lutemi, AMEN.
Pastor Julian Kastrati

1 koment:

Unknown tha...

I pa haruar qofte kujtimi i mikut tim Viktor Gjika...!U prefte ne Paqe!